Bajrami kërkoi mbështetjen e Finlandës për përmirësimin e cilësisë në arsim

14.12.2016 14:15:46

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka pritur sot në një takim ambasadoren e Finlandës, Anne Huhtamaki, me të cilën bisedoi lidhur me vlerësimin e PISA-s 2015, njëherësh kërkoi mbështetjen me ekspert arsimor të këtij vendi që të sanohet, përkatësisht përmirësohet performanca e mësimdhënësve dhe shkollave, si dhe cilësia në arsim përgjithësisht.

Ministri Bajrami ka falënderuar ambasadoren e Finlandës, Huhtamaki për gjithë mbështetjen që ky shtet i ka bërë zhvillimit të reformave në  arsimin e Kosovës, njëherësh shprehu shqetësimet e tija për rezultatet jo të mira të vlerësimit ndërkombëtar PISA 2015, për çka tha se i obligon dhe mobilizon që të reflektojnë se çfarë duhet të bëjnë më tutje, çfarë duhet të ndryshojnë.

“Ne kemi nevojë ende që ju si një nga vendet me arsim më të zhvilluar në botë të na ofroni ekspertizën tuaj profesionale që të përmirësojmë performancën, veçanërisht në Arsimin Parauniversitar”, tha ministri Bajrami.

Ndërkaq, ambasadorja, Anne Huhtamaki tha se nga perspektiva e Finlandës është jashtëzakonisht e rëndësishme pjesëmarrja e Kosovës në vlerësimin PISA 2015, por theksoi e ky rezultat nuk duhet të dekurajojë  dhe se gjendja mund dhe duhet të përmirësohet.

Ajo shprehu gatishmërinë që vendi i saj ta ndihmojë Kosovën me ekspertë arsimorë në fusha të caktuara.