Baki Kelani: Nga 31 marsi janë shqiptuar dënime për 464 raste që nuk kanë respektuar masat për lëvizje të kufizuar

15.04.2020 17:00:18

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë se shumica e qytetarëve të Kosovës i janë përmbajtur vendimit për orarin e lëvizjes por sipas tij ka pasur edhe qytetarë që kanë pasur paqartësi për këtë vendim.

“Njësitet policore në terren po kujdesen që ky vendim të zbatohet. Ata u kanë sqaruar qytetarëve të painformuar për vendimet e marra. Mund të them se në mas të madhe po zbatohet ky vendim”.

Kelani thotë se nga 31 marsi janë shqiptuar dënime në 464 raste ndaj 872 personave për shkak të mosrespektim të kufizimeve të qarkullimit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës thotë se në ditën e parë të masave të reja policia ka pasur prioritet automjetet që kanë pasur pasagjerë më shumë se dy persona.

“Ka pasur raste kur patrullat policore kanë lëvizur në vendet ku është dyshuar se ka përqendrim të një numri më të madh të qytetarëve”, tha ndër të tjera Baki Kelani.