“Përhapin virusin”/ Digjen antenat e 5G-së në Londër

15.04.2020 16:54:04

Një tjetër antenë e rrjetit 5G është djegur në Londër nga njerëz të bindur se virusi vdekjeprurës që po mundon botën, është pasojë e kësaj teknologjie. E fundit ishte kulla e telefonisë celulare e cila i shërben spitalit të urgjencës të vendosur në Birmingham për të luftuar koronavirusin.

Kjo tezë e çuditshme ka nisur të përhapet gjerësisht në mediat sociale, por tani ajo po merr përmasa të tjera në Britaninë e Madhe. Një numër I madh kullash-antenë janë djegur në vend gjatë javëve të fundit; një pjese, iu vu flaka fundjavën e Pashkëve.

Në Londër, tre adoleshentë u arrestuan nën dyshimin e zjarrvënies. Nga ana tjetër, dhjetëra inxhinierë që punojnë për ndërmarrjet telefonike kanë pësuar sulme fizike apo verbale dhe kanë marrë kërcënime me vdekje. Ndjekësit e kësaj teorie të cuditëshme komploti besojnë se Wuhani, qyteti kinez ku filloi virusi, ishte ndër të parët që instaloi antenat 5G.

Teza është se rrezatimi i emetuar prej tyre dobëson ndjeshëm sistemin imunitar dhe pengon kalimin e oksigjenit në mushkëri. Një version më ekstrem i saj insiston se në realitet, koronavirusi nuk ekziston, por është thjesht një shpikje e qeverive për të maskuar sëmundjet e tjera nga 5G-ja.

Të gjitha këto janë pretendime të pavërteta natyrisht, por që në Britani kanë gjetur terren edhe falë mbështetjes nga personazhe të famshëm si Amanda Holden, drejtuese e një shoë talentesh, apo Eamonn Holmes, prezantues i programit të mëngjesit në ITV.