Banda e hajdutëve shqiptarë përleshet me policinë: Tre arrestohen, njëri shpëton

13.12.2016 10:35:45

Pavia – Shkatërrohet nga Policia italiane një grup shqiptarësh të specializuar në vjedhjen e apartamenteve në Milano e Pavia: në pranga përfunduan tre burra nga 23 deri në 32 vjeç, ndërkohë që kërkohet një i katërt.

Duke kontrolluar një makinë që i përkiste një qytetari shqiptar, policët e komisariatit Monforte – Vittoria kanë zbuluar se makina ishte përdorur për të kryer vjedhje në rrethinat e Milanos dhe në provincën e Pavias. Hetimet dhe ndërhyrja e shpejtë e policisë bënë që grupi të bllokohej pranë San Donato Milanese.

Të rrethuar nga policia, katër burrat e përplasën makinën e tyre me të policisë duke humbur njërën rrotë e pastaj tentuan të iknin më këmbë. Shoferi dhe dy të tjerët u arrestuan pas një përleshjeje me policinë për kundërshtim të autoritetit të policisë.

Tashmë të arrestuarit do të hetohen për pastrim parash, përvetësim pasurie të vjedhur dhe posedim mjetesh për vjedhje . në makinë atyre iu gjetën edhe disa orë dhe bizhuteri ari që provonin vjedhjet. I katërti nga grupi është shpallur në kërkim.