Tramezzani: Hysaj e di si ndalet Cristiano Ronaldo

13.12.2016 10:36:54

Elseid Hysaj përballë Cristiano Ronaldos. Mbrojtësi shqiptar që ka tërhequr vëmendjen e klubeve më të mëdha angleze, nga Manchester United, te Chelsea e Manchester City, ndaj yllit portugez që vetëm pak orë më parë fitoi për të katërtën herë në karrierë Topin e Artë.

Me Napolin që do të ndeshet ndaj Realit të Madridit në fazën e 1/8-ve në Champions, 22-vjeçarin nga Shkodra e pret një duel sa i vështirë, aq edhe stimulues. Mbrojtësi më i mirë i Serisë A në krahun e djathtë do të konfirmojë të gjithë potencialin ndaj një prej lojtarëve më të mirë në historinë e futbollit.

Një duel, për të cilin foli edhe zv.trajneri i Kombëtares shqiptare, Paolo Tramezzani, në mikrofonët e “Radio Kiss Kiss”. Sipas numrit 2 të stolit kuqezi “Hysaj është përballur me Cristiano Ronaldon edhe në kualifikueset e Europianit 2016, duke arritur të kufizonte shpërthimet e portugezit në krah dhe goditjet e tij drejt portës”. “Uroj që ta ndalë sërish”, ishte mesazhi i Tramezzanit për mbrojtësin e Napolit.

Pas oshilacioneve në formë prej lodhjes fizike, Elseid Hysaj duket i rikthyer në nivelin më të mirë. Kjo u konfirmua edhe në fitoren 5-0 që Napoli regjistroi në fushën e Cagliarit. I avancuar thuajse në pozicionin e mesfushorit të krahut, shqiptari frymëzoi golin e dytë, ndërsa ishte mes më të mirëve në fushën e lojës, përkrah emrave si Zielinski, Hamsik dhe Mertens, autor i tre golave në sfidën e luajtur në Sardenjë.