Banka Botërore rrëzon për tokë kritizerët e kryeministrit Mustafa dhe bllokuesit e shtetit

07.04.2017 12:52:37

Nga Rexhep Kastrati

Banka Botërore që është institucioni më i lartë financiar-ekonomik bashkë me Fondin Monetar Ndërkombëtar ka bërë publik një Pasqyrë të rritjes ekonomike të vendeve të ndryshme, e edhe të Kosovës. I paraqitur edhe në mënyrë grafike, vlerësimi i BB-së nxjerr në krye Kosovën, me rritjen ekonomike 4%, duke dëshmuar se qeverisja aktuale në krye me LDK-në dhe me kryeministrin Mustafa është një qeverisje pozitive dhe në parametrat e standardeve ndërkombëtare të një qeverisjeje të përgjegjshme, të përkushtuar dhe të angazhuar jo vetëm për të ruajtur parametrat e stabilitetit makroekonomik, por edhe për të realizuar reforma të thella që do të kontribuonin në zhvillimin ekonomik, në forcimin e bizneseve dhe në lehtësimin e të bërit biznes.

Ky vlerësim i Bankës Botërore, pason raportet e agjensive të ndryshme ndrkombëtare qoftë për rritje ekonomike, qoftë për përmirësimin e lehtësirave të të bërit biznes, qoftë për reformën fiskale dhe për aspekte të tjera të qeverisjes së vlerësueshme. Prandaj, edhe një vlerësim i tillë nuk është i befasishëm, i paparitur, dhe së këndejmi edhe paraqet një mundësi për të parë se kur një qeverisje është e përgjegjshme, është e përkushtuar dhe udhëhiqet nga parimet e një ekonomie të mirëfilltë tregu, të parimeve të zhvillimit ekonomik në dy mënyra: me rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe zhvillimore të ekonomisë vendore dhe të thithjes së investimeve të huaja, nuk mbetet pa rezultate pozitive.

Vlera e vlerësimeve të këtilla rritet kur të kihet parasysh se kjo rritje ekonomike dhe këto reforma e masa të tjera për zhvillim ekonomik janë realizuar në kushtet e një angazhimi të vazhdueshëm për bllokimin e shtetit, për destabilizimin e vendit dhe për rrëzimin e Qeverisë. Që nga fundviti 2014 e deri më tash Qeveria e Kosovës ka arritur që fillimisht për herë të parë të hartojë një Plan për zhvillim ekonomik, mbi të cilin ka përcaktuar edhe politikat e saj zhvillimore afatshkrutëra, afatmesme dhe afatgjata, ka përcaktuar reformën fiskale, thjeshtësimin e procedurave biznesore dhe ka krijuar lehtësira për të bërë biznes. Në aspektin legjistaltiv, Qeveria ka propoozuar nisma ligjore thelbësore për zhvillim ekonomik, si dhe ka zbatuar strategji zhvillimore efektet e të cilave kanë filluar të ndjehen dhe me kalimin e kohës do të ndjehen edhe më shumë.

Përveç këtyre, Qeveria aktuale ka bërë shumë edhe në çështen e borxhit që Qeveria pararendëse kishte lënë trashëgim, kishte kornizuar dhe kishte sistemuar edhe praktikat e huamarrjes dhe të qarkullimit të parasë dhe të kapitalit, për çka, po ashtu ka pasur vlerësime të vazhdueshme ndërkombëtare. Dhe përkundër këtyre ka arritur që të hartojë një buxhet vjetor mbi dy miliardë euro.

Është për të theksuar se pas përpjekjeve të dështuara për ta paraqitur këtë Qeveri si të dobët, kurse kryeministrin Mustafa të pafuqishëm për të kryer reforma të mëdha dhe për të realizuar procese të rëndësishme, e që janë edhe përpjekje të dështuara politike, por edh medietike, megjithatë kjo Qeveri ka arritur që të ketë vëmendjen dhe vlerësimin e vazhdueshëm ndërkombëtar, duke nxjerrë në kokërr të shpinës gjithë kundërshtarët e saj.

Për këto dhe arsye të tjera që nuk janë përmendur me këtë rast, të gjithë, e sidomos PDK ka rënë në atë derexhe sa të përpiqet të vjedhë strategjinë zhvillimore të Qeverisë, të vjedhë platformën qeverisëse të LDK-së dhe nëpër do farë tubimesh t’i paraqesë si nisma dhe vizion të saj zhvillimor. Më parë kjo kishte ndodhur me ligjin për “Trepçën” dhe me ligjin për investime strategjike, me skemat pensionale, dhe me aspekte të tjera, kurse tash është lëshuar në kopjimin e plotë të platformës së LDK-së për zhvillim ekonomik.

Duket se dështimi për ta nxjerrë të dobët këtë Qeveri dhe kryeministrin Mustafa si të pafuqishëm për vendime të mëdha, e që u pa edhe në rastin e nismës ligjore për FSK-në, si dhe vlerësimet e rëndësishme ndërkombëtare për punën qeverisjen aktuale, ka bindur të tjerët se ata janë të dobët dhe të pafuqishëm, e jo kryeministri Mustafa dhe Qeveria që drejton.

Është çështje që duhet ta diskutojë gjithësecili: nëse kjo Qeveri ka këto rezultate që po i konfirmojnë edhe institucione ndërkombëtare, siç është edhe Banka Botërore, në kushtet e bllokimit, intrigave dhe obstruksioneve perfide, çfarë do të ishin rezultatet e saj sikur të qeveriste në mënyrë normale dhe në parametrat e funksionimit demokratik të institucioneve, me ç’rast partitë do të përqëndroheshin në kritikat konstruktive në funksion të përmirësimit të qeverisjes, dhe sikur të kishte konsensus më të gjerë për çështje me rëndësi strategjike që janë edhe çështje të marrëdhënieve strategjike me aleatët tanë euro-atlantikë?