Ministrja Bajrami priti në takim Zëvendës Shefen e Departamentit në Drejtoratin Gjeneral të Tregtisë në Komisionin Evropian

07.04.2017 12:40:04

 

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, priti sot në takim znj. Jane Amilhat Zëvendës Shefe e Departamentit në Drejtoratin Gjeneral të Tregtisë në Komisionin Evropian, e cila ishte e shoqëruar nga Zyrtarë për politika ekonomike në DG NEAR dhe përfaqësues të Zyrës së BE-së në Prishtinë.

Ministrja Bajrami e informoi znj. Amilhat me aktivitetet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në lidhje me përmirësimin e ambientit të të bërit biznes dhe zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim.

Më tej, Ministrja Bajrami përmendi disa nga veprimet e ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës për përgatitjen dhe forcimin e ndërmarrjeve kosovare për të depërtuar në tregun e Bashkimit Evropian, duke përfshirë: organizimin dhe mbajtjen e konferencave me biznese të cilat kanë pasur për qëllim informimin e ndërmarrjeve kosovare me benefitet dhe kriteret e MSA-së, përkrahjen e një numri të madh të ndërmarrjeve për të marrë pjesë në panaire të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare për të bërë promovimin e produkteve, realizimin e projektit i cili po i ndihmon ndërmarrësit kosovarë të certifikojnë produktet e tyre për standarde të cilësisë, si dhe qasjen më të lehtë në financa përmes Fondit për Garanci Kreditore

Në anën tjetër, znj. Amilhat theksoi se Komisioni Evropian është i gatshëm për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në zbatimin sa më të suksesshëm të MSA-së, dhe fuqizimin e mëtejmë të ndërmarrjeve kosovare. Ajo ofroi gatishmërinë e Komisionit Evropian për të punuar ngushtë me MTI-në në shumë projekte për forcimin e ndërmarrjeve kosovare për të depërtuar në tregun e Bashkimit Evropian