Barcelona-Verratti, nisin kontaktet

28.04.2017 15:56:33

Barcelona hidhet në sulm për Marco Verratin dhe deri tani nuk ka asgjë që nuk dihet.

E reja në këtë histori është se klubi tashmë ka hyrë në kontakte me mesfushorin italian të Paris Saint Germain dhe duket se palët janë të kënaqura me mënyrën sesi po shkojnë këto bisedimet.

Sipas asaj që publikohet tek e përditshmja “El Mundo Deportivo”, tratativat mes Barcelonës dhe agjentit të futbollistit kanë nisur që në ndeshjen e “Camp Nout” me Paris Saint Germain për të vijuar edhe në ditën e ndeshjes mes katalanasve e Juventusit po në “Camp Nou”, tratativa që i kanë dhënë frytet e tyre pasi Verratti e shprehu disponibilitetin për kalimin te kampionët aktualë të Spanjës.

Ajo që i mbetet Barcelonës është të bindë Paris Saint Germain për të lejuar këtë transferim të mesfushorit italian. Klubi francez nuk dëshiron të privohet nga një prej futbollistëve më të mirë të tij dhe oferta e Barcelonës është 35 milionë euro, shifër së cilës i shtohen 20 milionë euro në formën e bonuseve. Ofertë kjo, që për momentin transalpinët nuk kanë ndërmend ta marrin parasysh.