Kreu i opozitës Lulzim Basha ende vijon që të përdorë një gjuhë të ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar si personin që solli në Parlament kriminelët. Sipas tij, Edi Rama e ka lidhur fatin e tij politik me krimin e organizuar dhe trafikantët e drogës.
“Kriminelët në pushtet i solli Edi Rama, për pushtetin dhe pasurinë e tij. Këta kriminelë bëjnë sot ligjin në Shqipëri. Ky është shteti i Edi Ramës, njësoj si 45 vite më radhë. Kulti i krimit është vetë rrënja e identitetit të komunistëve dhe pasardhëseve të tyre në politikë.
‘Pushteti buron nga gryka e pushkës’, është filozofia e tyre. Ata nuk duan pushtet nga qytetarët sepse nuk duan llogari prej qytetarëve. Kjo është arsyeje se pse Edi Rama e ka lidhur fatin e tij politik me krimin e organizuar dhe trafikantët e drogës, me llumin e shoqërisë shqiptare dhe që i solli në parlament dhe i bëri drejtorë në poste të ndryshme”, tha Basha.






































