Basha: Godina e Teatrit është vija e kuqe me këtë regjim

14.05.2020 16:04:26

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shpreh ditën e sotme se godina e Teatrit Kombëtar është vija e kuqe me këtë regjim, siç e quajti ai.

Basha theksoi se çdo hap për prishjen e Teatrit është një akt i pastër lufte ndaj qytetarëve.

“Afera me Teatrin Kombëtar është afera e radhës e korrupsionit të një qeverie në ikje, në kohën e pandemisë, kur shqiptarët presin që taksat që kanë paguar në 7 vite t’iu kthehen në shërbime, në kohën e pandemisë, Rama turret për të vjedhur këtë pasuri, këtë pronë publike. Mesazhi është i qartë: Edhe në kohë pandemie, këta e kanë mendjen për të vjedhur. Prej më shumë se një viti e gjysmë Aleanca për Teatrin është përballur me presion, me dhunë. Çdo hap për prishjen e Teatrit është një akt i pastër lufte ndaj qytetarëve dhe jo vetëm ndaj artit dhe artistëve.

Unë i bëj thirrje sot të gjithë demokratëve, të gjithë mbështetësve të opozitës dhe çdo qytetari, që sot është në pasiguri për jetën, ta kuptojë se Teatri Kombëtar është vija e kuqe me këtë regjim”, u shpreh Basha.

Pas deklaratës për gazetarët, Basha reagoi edhe në Twitter, po për të njëjtën çështje.

“Rama është hajduti që i vjedh shqiptarët, është mashtruesi që i gënjen, është xhelati që i dhunon. Nuk mund të vuajë një popull i tërë për makutërinë e çmendur të një njeriu! Prishja e TK është akt lufte i Ramës ndaj qytetarëve shqiptarë. Pasojat do të bien të gjitha mbi të!”/A2