Basha me lëvizje të re politike

27.02.2017 15:38:20

Në kampin e djathtë kanë nisur përpjekjet për të krijuar një lëvizje të re në Shqipëri, me qëllim shkëputjen nga politika 27-vjeçare që ka zhgënjyer qytetarët.

Të paktën kështu shkruan sot gazeta “Rilindja Demokratike”, organi zyrtar i shtypit i PD-së, sipas së cilës brenda opozitës po gatuhet një lëvizje e re që quhet “MAGA” (Make Albania Great Again), që rezulton të jetë si slogani “Make America Great Again” që Donald Trump zgjodhi gjatë fushatës presidenciale.

Ndonëse ka shumë pak informacione për këtë lëvizje, RD-ja në artikullin e saj përmend vetëm qëllimin kryesor, atë të largimit të qeverisë së drejtuar nga Edi Rama, për të cilën PD po proteston prej 10 ditësh përpara kryeministrisë.

Shpresat e demokratëve janë varur te disa kongresmenë dhe senatorë amerikanë, që sipas RD-së, do të lobojnë në Uashington që kërkesat e opozitës shqiptare të arrijnë në nivele të larta.