Basha: Narkomafia kërcënon demokracinë; duhet qeveri teknike

02.04.2017 19:57:07

Kreu demokrat Lulzim Basha ka zhvilluar një takim në çadrën e protestës me familjarët e viktimave të 2 prillit 1991. Basha tha se sot kujtojnë ‘4 engjëj’, duke e cilësuar të sotmen si ditë kujtesë për çmimin e demokracisë.

Mirëpo, në fjalën e mbajtur ai ka vijuar akuzat kundër qeverisë, duke kërkuar për të disatën herë krijimin e qeverisë teknike. Ai theksoi se PD do të mbrojë më çdo kusht demokracinë.

“Sot është dita e përkujtimit e nderimit për sakrificën më sublime. Shkodra përherë ka paguar çmim të lartë për demokracinë. Jemi krenar për çmimin e lartë që keni vendosur në altarin e demokracisë. Sot aleanca e krimit me pushtetin me aktuale se kurrë. Aleanca e krimit thotë se mund ketë zgjedhje pa opozitën. Përsëris sot se deri në fitore zotimi ynë mbetet zgjedhje të lira e republike e re. Sakrifica e 2 prillit sot më aktuale se kurrë, marrëzia do të marrë fund”, deklaroi ai.

Basha tha se qeveria teknike është e vetmja zgjidhje.

“Rama e di se nuk ka asnjë shans t’i shpëtojë gjykimit popullor me votë, përveçse aleancës së tij me krimin. Tani po vjen ora e shpëtimit. Ne do të shpartallojmë lidhjet e qeverisë me krimin dhe kushti i patejkalueshëm për zgjedhje të lira e të ndershme është një qeveri e palidhur me krimin, një kryeministër i palidhur me krimin.

Rama duhet të largohet si kusht për zgjedhje të lira e të ndershme. Aleanca e tij me krimin e fundosi Shqipërinë, e ktheu në vendin më problematik për drogën, për larjen parave, për vendin me emigracionin më të lartë në botë, duke konkurruar edhe Sirinë që është në luftë civile. Qeveria teknike është formula e vetme për t’i shpëtuar kokën atij dhe bandës që rrethon. Është formula e vetme që garanton një zgjidhje të krizës dhe hap rrugën e integrimin. Por rri e krekoset më keq se mbeturinat e diktaturës që i dhamë fund 27 vite më parë”, tha Basha.