Basha: Nxënësit po mbahen larg bankave prejt të ftohtit, jo gripit

08.01.2017 11:45:42

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me vendimin e qeverisë që i lë mbyllur edhe për 1 javë tjetër shkollat. Sipas Bashës, nuk është gripi shkaku i mbylljes së shkollave, por është i ftohti, fakti se nxënësit nuk kanë me çfarë të ngrohen.

Sipas kreut të PD-së, shkollat po mbahen mbyllur për shkak të mungesës minimale të kushteve.

Reagimi i plotë i kreut të PD-së, Lulzim Basha:

“Shkollat po mbahen të mbyllura dhe nxënësit larg bankave, për shkak të të ftohtit, dhe jo të gripit.

Gripi është pretekst për të shmangur tragjedinë që mund të shkaktohet nga mungesa e kushteve minimale. Shkollat ku shkojnë pjesa më e madhe e fëmijëve, janë pa ngrohje, pa xhama, janë akull të ftohta. Prandaj edhe temperaturat e këtyre ditëve janë rrezik i vërtetë për fëmijët.

Edi Rama ka harxhuar 400 milionë euro për projektin megalloman dhe abuziv të fasadave dhe shesheve. Ndërkohë i ka lënë shkollat e vendit në gjendje të mjeruar. Për shkollat Edi Rama ka deklaruar se nuk ka para, ndaj ka vendosur që t’ia u japë edhe ato me koncesion klinetëve të tij.

Por gripi që qeveria po përdor si pretekst për mbylljen e shkollave është shenja më e qartë e falimentimit të sistemit të shëndetësisë. Mbi 300 milionë euro koncesione ka dhënë Edi Rama në shëndetësi, para që po shkojnë për klientët e tij pa i sjellë asnjë përfitim njerëzve, asnjë përfitim të sëmurëve. Ndërkohë që qeveria nuk ka fonde për të vaksinuar grupet e njerëzve që rrezikohen më shumë nga gripi.

Tashmë është e qartë se reformat e bujshme rilindase kanë qenë propaganda për të verbuar njerëzit, faqe grabitjes së pasurive dhe fondeve publike me të cilat po pasurohet Edi Rama dhe klientët e tij.

Çdo ditë që Edi Rama qëndron në pushtet është një ditë e keqe për ne dhe të ardhmen tonë. Le ta ndalim së bashku këtë të keqe. Le ta vëmë qeverinë në shërbim të njerëzve.”