Basha: Rama e ka kthyer Shqipërinë në hambar hashashi

18.09.2016 17:14:50

Kreu demokrat Lulzim Basha, në një postim në Facebook akuzon kryeministrin Edi Rama se nuk po bën asgjë për qytetarët. Basha shkruan se tani që ditët e mandatit po i sosin, Edi Rama u nis drejt veriut. Sipas tij, Rama ka shkuar atje, për të vetmen gjë që ka bërë, kultivimin e kanabisit, kthimin e kodrave, arave dhe maleve të Shqipërisë në hambar hashashi.

Postimi i Bashës

Tani që ditët e mandatit po i sosin, Edi Rama u nis për Vermosh, Tamarë, Malësi të Madhe, Vaun e Dejës, Pukë etj.

Nuk është aty për të dëgjuar, është për shfaqje. Nuk është aty për qytetarët, njerëzit me halle, se zgjedhja e tij janë trafikantet, banditët. Me ta është rreshtuar qëkur erdhi ne pushtet, me ta po e mbyll mandatin.

Nuk është aty për bilanc. Asnjë investim publik, asnjë metër rrugë, asnjë shkollë e re, asnjë vend pune në 3 vjet. Asnjë bilanc nuk tregon para qytetarëve të cilët ia plasën në fytyre këtë realitet të dhimbshëm.

Kush ngre zërin për faturat e kripura, për varfërinë, për papunësinë, për arsimin apo shëndetësinë, i ndërpritet fjala: “pusho se jemi ne televizion”.

Harbutëria e tij nuk ka kufi. U thotë të papunëve, të skamurve, “merrni kredi”. Po për çfarë, që të blejnë farë kanabisi, të mbjellin drogë, të bëhen bujqit e kooperativës së tij të madhe narkotike.

Prandaj ka shkuar, për të vetmen gjë që ka bërë, kultivimin e kanabisit, kthimin e kodrave, arave dhe maleve të Shqipërisë në hambar hashashi.

Bujtës i Mark dhe Arben Frrokut u shfaq dhe sot, duke sfiduar hapur çdo punonjës policie që përballet me krimin dhe qytetarët e ndershëm të këtij vendi.

Asnjë kumbar nuk e ka nënshtruar dot një shoqëri të tërë. Dhe shqiptarët nuk do ta lejojnë, por do bashkohen nën thirrjen për ta shpëtuar vendin nga karteli i drogës. Ne kemi zgjedhur qytetarët, punën e ndershme, sigurinë dhe të ardhmen pa kanabis. #Shqipëria më mirë pa Edi Ramën.