Basha: Rama mbuloi Shqipërinë me drogë dhe mbështeti kriminelët

05.03.2017 20:43:21

Nga çadra e protestës, kreu demokrat Lulzim Basha ka vijuar me akuzat në drejtim të qeverisë. Basha deklaroi se Parlamenti ka rënë dhe se ky është një parlament krimi.

Ai u shpreh se kjo është qeveria e krimit, drogës dhe e parave të pista.

“Pas hakmarrjes politike fshihet diçka më e madhe. Rama pasi i hapi dyert krimit, ka marrë një mision kombëtar e ndërkombëtar për pastrimin e parave. Ka përfshirë familjarët e tij në një bankë që është e dyshuar për transaksione të dyshimta për pastrimin e parave.

Përpjekja jonë do të jetë edhe që të vendosen gjoba të majme për kompanitë e sigurimeve, para zgjedhjeve të ndershme, nëse i lejojnë këto lëvizje kriminale. Ka rënë parlamenti. Është një parlament i krimit. Dekriminalizimi nuk zbatohet. Kanë rënë bashkitë e vendit. Ka rënë pushteti i tretë, mediat, se janë në presionin e tyre. Vendimi i qytetarëve shqiptarë është i vetmi i drejtë.

Rama mbuloi Shqipërinë me drogë, u dha mbështetje kriminelëve, i nxori kriminelët nga burgu, e tani kërkon ta shndërrojë këtë vend në një republikë të pastrimit të parave të pista të krimit e politikanëve. Shqiptarët nuk do të pranojnë kurrë që institucioni i zgjedhjeve të lira e të ndershme të janë viktima e radhës e krimit në këtë vend. Alternativa e vetme është largimi i Ramës”, deklaroi kreu demokrat.