Basha replikon me Ramën: Kjo, koha më e vështirë për policinë

12.10.2016 12:43:23

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratave të Ramës e Tahirit për arritjet dhe përmirësimin e kushteve të punës për policët. Basha tha se s’ka pasur kohë më të vështirë për policinë se këto 3 vite.

“Policia duhet të bënte kujdes të mos i dilte para Emiliano Shullazit, të mos i prishte punë Balilajt, të mos pengonte Habilajt, t’i hapte rrugën vrasësve me pagesë që pret Tahiri në zyrë, të mbyllte sytë kur arratisej Frroku që vrau komisarin Lamaj, të nderonte Rroshin e Bushin”, tha Basha.

“Rama tradhtoi policinë për pazaret e tij me krimin. Opozita ka 3 vite që lufton me krimin, ndërsa Edi Rama ka 3 vite që drejton vendin me krimin. Policia, rendi dhe siguria do jenë më mirë pa Edi Ramen”, vijoi ai.

Ndërsa më herët, Rama u shpreh se “tre vjet më parë, në çdo cep të vendit kryefjala ishte që ‘Na shpëtoni nga kthetrat e krimit, makthi se në çdo moment mund të na ndodhë diçka’. Sot nuk është më kryefjala, por një nga shqetësimet që kërkon punë”.