Bayern, prezantohet Heynckes: Do të ringrihemi shpejt

09.10.2017 20:01:51

Jupp Heynckes nis aventurën e tij te Bayern Munchen, një skuadër të cilën ai e njeh mjaft mirë, pasi e ka drejtuar edhe më parë. Heynckes zëvendësoi në këtë detyrë Carlo Ancelottin, të shkarkuar për shkak të rezultateve jo të mira që kampionët e Gjermanisë shënuan kohët e fundit.

“Duhet të falënderoj Bayernin. Jam në gjendje shumë të mirë, si fizike, ashtu edhe psikologjike”, tha Heynckes në momentin e prezantimit të tij.

“Pavarësish momentit të vështirë, jam i  bindur se skuadra do të shfaqë shumë shpejt një profil krejt tjetër. E kam tashmë në mendje një plan, e rëndësishme ështe që futbollistët të rigjejnë besimin te forcat e tyre”, tha trajneri gjerman.

Heynckes, fituesi i “tripletës” me bavarezët në vitin 2013, shpjegoi edhe arsyet përse pranoi që të rikthehej në stolin e Bayern Munchen.

“Bayern më dha mundësinë që të bëhem një trajner i madh. Ky është një prej motiveve që më shtyu të kthehem në pankinë. Detyra ime është që të krijoj një grup lojtarësh, që janë në gjendje të kthejnë situatën në favor. Lojtarët e Bayernit i kanë aftësitë dhe potencialin për ta arritur këtë”, vijoi Heynckes.