BB: Ekonomia rrezik nga kreditë e këqija, klima politike dhe situata në Turqi

27.09.2016 11:27:27

Përfaqësuesja e Bankës Botërore, Tahseen Sayed e quajti “incident fatkeq” dhunën ndaj investitorit libanez Faad Mitri. “Incidenti me biznesmenin libanez, një ngjarje fatkeqe. Shqipëria duhet të sigurojë një klimë biznesi të rangut botëror”, tha Sayed. Më pas përfaqësuesja e Bankës Botërore është ndalur te rritja ekonomike e Shqipërisë, kriza e vendeve fqinje dhe rritja e pagave dhe pensioneve.

“Për sa i përket rritjes së pagave dhe pensioneve vitin e ardhshëm, qeveria të gjejë mundësinë përmes administrimit fiskal e rritjes së të ardhurave. Ekonomia shqiptare ka një performancë pozitive, por rrezikohet nga klima politike.

Paqëndrueshmëria politike mund të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e ekonomisë. Duhet të adresohet edhe problemi i 35 kompanive të mëdha që kanë më shumë se 50% të kredive të këqija në Shqipëri. Ekonomia shqiptare mund të ndikohet nga situata në vendet fqinje. Shqetësimet mund të vijnë edhe nga trazirat në Turqi për shkak të lidhjeve tregtare që keni” tha ajo.