Lulzim Basha: PD po përhapet, reformim i vërtetë jo për makiazh

24.11.2016 11:01:48

Nga mbledhja e grupit parlamentar demokrat, kreu i PD Lulzim Basha doli për mediat për të dhënë lajmin që partia që ai drejton do të hapet, jo për makiazh.

Kjo deklaratë vjen vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve dhe Basha në fjalën e tij theksoi se drejt asaj dite do të shkohet përballë kundërshtarit si një parti moderne ku qytetarët duhet të kenë në dorë resurset e vendit dhe të gjejnë shpresën e ndryshimit tek PD­ja.

“Nuk kanë qenë të pakta mesazhet e dyshimit dhe pasigurisë, e kuptoj dyshimin e një shoqërie të zhgënjyer thellësisht me politikën, se në të shkuarën edhe kur ka lindur një dritë shprese është shuar. Dua t’i siguroj ata se ndryshimi i PD, hapja e saj, do të jenë të vërteta të besueshme dhe të pakthyeshme. Makiazhet apo gjërat e lëna përgjysmë do minonin besueshmërine PD por edhe shanset për një nderyshim pozitiv në Shqipëri.

Do ndërtojmë së bashku me ta një proces që jep garanci të plota se ndryshimi do jetë i vërtetë, ku mund të besojnë dhe mbështeten për të përmirësuar jetën e cdokujt në Shqipëri.

Procesi do jetë i vështirë, udhëtimi ynë do jetë i vështirë, i sulmuar dhe anatemuar nga elitat që kontrollojnë ekonominë, median, por jam i bindur e bashkë me shqiptarët do ja dalim që PD të kthehet në lumin e shpresës, mundësive se në thelb ajo që do ndërtojmë është një Shqipëri që jo ndërton mundësi për një grusht njerëzish që duan të ruajnë statuskunë, por ofron shanse për të gjithë.

Do përfshihen të gjithë, është një proces që ka për qëllim hapjen e PD për këdo që është gati dhe do të japë kontributin e tij dhe të saj për një udhëtim që ka për pikëmbërritje jo thjesht e vetëm një rrotacion politik por një politikë në shërbim të njerëzve dhe jo të elitës. Ndryshimin do e nisim brenda PD­së, do e nisim duke e bërë PD një parti të shqiptarëve dhe jo drejtuesish që kanë për qëllim ardhjen e tyre në pushtet.

Po kështu, nesër do ndryshojmë Shqipërinë. Sot u diskutua gjerësisht në grupin parlamentar dhe presim zhvillime në javët në vazhdim për ti paraprirë aksionit tonë politik”, tha kreu i opozitës Lulzim Basha