BE do të hetojë pretendimet për “emigrantë skllevër” në Libi

29.11.2017 17:09:15

Kryetari i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani njoftoi se ka përcaktuar një komision për të hetuar pretendimet se emigrantët afrikanë në Libi shiten si skllevër

Kryetari i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani njoftoi se ka përcaktuar një komision për të hetuar pretendimet se emigrantët afrikanë në Libi shiten si skllevër, transmeton Anadolu Agency (AA).

Tajani i cili ndodhet në Bregun e Fildishtë në kuadër të Samitit të 5-të të Unionit Afrikan-Bashkimi Evropian, gjatë fjalimit të tij në Parlamentin e Bregut të Fildishtë tha se “Ne duhet ta ndalojmë skandalin e një periudhe të re të skllevërisë. Për këtë arsye, me qëllim të hetimit lidhur me atë që po ndodh në Libi, në këtë vend do të dërgojmë një komision nga parlamentarët afrikanë dhe evropianë”.

“Ky vendim është marrë kundër kontrabanduesve, e jo Libisë. Ne duam ta shohim Libinë në paqe”, shtoi Tajani.