BE e shqetësuar pas arrestimit të deputetëve kurdë në Turqi

04.11.2016 22:14:02

Bashkimi Evropian është thellësisht i shqetësuar për arrestimin e deputetëve pro-kurdë të Partisë Demokratike Popullore në Turqi, tha Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.

Mogherini në Twitter njoftoi se Bashkimi Evropian është në kontakt me autoritetet turke dhe se ajo zhvilloi një takim me ambasadorët e BE-së në Ankara.

AFP tha se deri më tani asnjë nga zyrtarët e BE-së nuk ka mundur të japë detaje rreth takimit, transmeton KosovaPress.

Ndërkohë, ministri turk i Drejtësisë, Bekir Bozdat tha se arrestimet e deputetëve kurdë janë në përputhje me ligjin.

Bozdat ka njoftuar se disa orë pas arrestimit, kanë ndodhur një shpërthim në Dijarbakir, një qytet me shumicë kurde në Turqinë juglindore.

Në shpërthime kanë humbur jetën së paku 8 persona, në mesin e të cilëve ka policë dhe civilë, ka shumë të plagosur.

Sulmi ndodhi pranë një stacioni policor.

Eksplozivët shpërthyen disa orë pasi policia bastisi selinë e partisë pro-kurde, Partia Demokratike Popullore në Ankara dhe ka arrestuar 11 anëtarë, përfshirë edhe udhëheqësin e saj Selahattin Demirtas, të arrestuarit janë deputetë.

Avokatët dhe deputetët kanë raportuar se ata janë arrestuar për shkak se kanë refuzuar të dëshmojnë për krimet që lidhen me propagandën terroriste.

Turqia akuzon Partinë Demokratike Popullore për lidhje me Partinë Punëtore të Kurdistanit, organizatë militante kurde, të cilën Shtetet e Bashkuara, BE dhe Turqia e kanë shpallur organizatë terroriste.