Bëhen homazhe te kompleksi memorial “Adem Jashari”

30.12.2019 13:55:43

Me rastin e Ditës së Veteranëve dhe sulmit të parë ndaj familjes Jashari, sot në Prekaz janë bërë homazhe te kompleksi memorial “Adem Jashari”.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari së bashku me një grup veteranësh bënë homazhe te varri i komandantit legjendar Adem Jashari dhe pjesëtarëve tjerë të familjes së tij.

Ata së bashku nderuan familjen Jashari për mundin, sakrificën dhe luftën e bërë kundër okupatorit serb.

Jashari tha se 30 dhjetori i 28 vjetëve më parë ishte ditë e ftohtë, e cila u karakterizua me pjesëmarrje të madhe të forcave serbe në sulmin kundër familjes Jashari.

Kryetari i OVL së UÇK-së, Hysni Gucati tha se në këtë ditë 28 vjet më parë u bë sulmi i parë ndaj familjes Jashari dhe sulmi i parë ndaj pjesëtarëve të UÇK-së. Ai tha se shkëndijat e para të lirisë janë në këtë vend.

Kujtojmë se sulmi i parë i forcave kriminale serbe ndaj familjes Jashari ndodhi më 30 dhjetor 1991.