Bekim Jashari: Nuk dua të besoj se Hashim Thaçi do të gabojë në dëm të Kosovës

23.12.2018 14:47:03

Dështimi i Kosovës për të siguruar lëvizjes të lirë për qytetarët e saj nga kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, po konsiderohet si eksperiment që bashkësia ndërkombëtare po e bënë me Kosovën, e jo mos përmbushje të kushteve për liberalizim nga institucionet e Kosovës. Ai ka komentuar edhe idenë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi  për korrigjim të kufirit me Serbinë.

Djali i Hamëz Jasharit, Bekimi, shprehet se Bashkimi Evropian me mos dhënien e dritës së gjelbër për lëvizjes pa viza, kosovarët i ka izoluar sikurse në kafaz.

Ndonëse, fundi i vitit 2018 ishte data kur krerët shtetëror besuan se do ndodhë liberalizimi i vizave, Bashkimi Evropian  si datë më e përafërt për lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës ka dhënë vitin 2020.

“Fatkeqësisht bashkësia ndërkombëtare është duke bërë eksperiment me neve, na ka izoluar sikurse në kafaz. Unë dua t’i falënderoj të gjithë sepse pa ta nuk kishim arritur ku jemi këtu sot, por është absurd të thuhet që Kosova nuk ka arritur ta përmbush këtë kriter ose atë kriter, kur e dimë që 18 vite pas lufte komplet bashkësia ndërkombëtare është e instaluar në Kosovë në të gjitha nivelet. Neve kemi shkuar deri sot sipas këshillave dhe hapave që ata na kanë thënë dhe sot të thuhet që Kosova nuk e ka plotësuar këtë kriter apo atë kriter, kur e dimë që Maqedonisë i është dhënë lëvizja e lirë, Malt të  Zi po, Serbisë po ashtu”, ka thënë ai.

Djali i familjes Jashari të cilët u sakrifikuan për lirinë e Kosovës, e ka komentuar edhe idenë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi  për korrigjim të kufirit me Serbinë.

Ai beson se Thaçi nuk do bëjë ndonjë gabim në dëm të Kosovës, pasi për kufijtë aktualë është derdhur shumë gjak.

“Për idenë e presidentit Thaçi ende nuk kemi informatë të saktë se çka ka menduar apo çka nënkupton me fjalën korrigjim. Unë nuk dua të besoj, duke i hy analizës të vetë personalitetit të zotëri Thaçi, kush ka qenë para luftës, kush ka qenë gjatë luftës, dhe proceset apo zhvillimet që janë bërë pas lufte deri më tani, nuk dua të besoj që do të bëjë ndonjë gabim… Nuk dua të besoj se do të ketë ndonjë vendim që është në dëm të Kosovës, sepse për kufijtë që i kemi sot është derdhur gjak një shekull rresht. Dhe nuk është e lehtë të merret vendim i tillë në dëm të këtij shekulli, të këtyre vuajtjeve të shqiptarëve… Unë dua të besoj që do të jetë vendim edhe pse ndoshta jo i lehtë, i vështirë patjetër por do të jetë në të mirë të gjithë neve. Nuk kemi rrugë tjetër për pa hyrë në bisedime në dialog me i rregulluar raportet me të gjithë fqinjët në këtë rast edhe me Serbinë”, ka deklaruar ai.

Në anën tjetër ai e përkrah idenë e Thaçit për bashkim me Luginën e Preshevës.

Bekim Jashari ka komentuar edhe deklarimet se do të themelojë parti, duke thënë se nuk e përjashton mundësinë por që ende nuk ka diçka konkrete.

Ai thotë se është i interesuar që mandatin e tij si kryetar i pavarur i komunës ta dërgojë deri në fund.