Beograd: Fillon procesi kundër oficerëve serbë të Bosnjës të dyshuar për masakrën e Srebrenicës

06.02.2017 15:56:43

Në Gjykatën për Krime Lufte në Beograd ka filluar procesi gjyqësor kundër tetë ish oficerëve serbë të Bosnjës me dyshimin se kanë marrë pjesë në masakrën e vitit 1995 në Srebrenicë.

Procesi i filluar sot, shihet si test për përkushtimin e Serbisë në trajtimin e të kaluarës së saj dhe një hap i rëndësishëm për ripajtimin në Ballkan, dy dekada pas përfundimit të luftës në Bosnje e Hercegovinë, raporton Associated Press.

Rreth 8 mijë burra dhe djem myslimanë janë vrarë nga trupat serbe të Bosnjes në Srebrenicë, që konsiderohet si krimi më i rëndë në Evropë prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Serbia është zotuar se do të dënojë kriminelët e luftës si përkushtim të saj në rrugën drejtë anëtarësimit në BE, ndonëse siç shkruan AP, qeveria nacionaliste e saj po përballet me kritika se po e pengon këtë zotim.