Beqaj: Mospjesëmarrja në seancë është ndezje e dritës së kuqe për PAN-in

23.08.2017 15:58:12

Pas dështimit të katër seancave për konstituimin e Kuvendit, një gjë e tillë pritet të ndodh edhe nesër, pasi kandidati për kryeministri i koalicionit PAN, Ramush Haradinaj tha se mund të mos marrin pjesë nesër në seancë.

Analisti i çështjeve politike, Belul Beqaj ka thënë, se paralajmërimi i Ramush Haradinajt tregon një ndezje të dritës së kuq për PAN-in.

“Paralajmërimi i sotit i kandidatit për kryeministër, Ramush Haradinaj se mund të mos mbahet  seanca e nesërme është ndezje e dritës së kuqe për PAN-in”, është shprehur ai.

Beqaj tha, se veprimet politike të PAN-it i kanë kaluar kufijtë pas dështimit të njëpasnjëshëm të seancave konstituive.

“Çdo veprim politik i ka kufijtë e vet, edhe bojkotimi eventual i seancës së radhës  pas zhgënjimit të deritanishëm  do të kuptohej si uvertyrë  e perëndimit të koalicionit PAN”, ka thënë ai.

Tutje, Beqaj tha se dëmi më i madh për Kosovën do të ishte krijimi i Qeverisë që do varej nga individët apo Lista serbe.

“Kosova në vend se të konsolidojë institucionet po thellohet kriza. Por sipas mendimit tim, dëmi do të jetë shumë më i madh nëse krijimi i Qeverisë varet nga individët apo Lista serbe!”, potencoi ai.