Berisha: Pa zbatimin e dekriminalizimit nuk ka integrim në BE

22.12.2016 20:35:28

Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar qeverinë se i ka lënë të pashpresë qytetarët, të cilët detyrohen të ikin jashtë vendit. Berisha ka kërkuar zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, pa të cilin sipas tij, nuk mund të ecet përpara me integrimin europian të Shqipërisë. Gjithashtu ai ka lëshuar akuza të rënda ndaj Edi Ramës, vëllait të tij Olsi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

“Hapi lajmin në mbarë Shqipërinë për negociata në nëntor, tha ky do jetë nëntori i katërt, pas Ismail Qemalit e të tjerëve, po ky do njihet si nëntori i drogmenit të shqiptarëve. Cili ishte nëntori lakuriq, jo si në plazhe, por si i zi që është, ku iu përveshën të gjitha një më një. Ky ishte sukses i madh. Kur e pyesin për ligjin e dekriminalizimit, prishet në fytyrë e thotë që në grupin tim nuk ka asnjë.

Prokuroria e ka njoftuar se ka disa vrasës, jo një, janë të njohur. Këto ditë ka emëruar këshilltar kombëtar të antiterorrit, Agron Sojatin, i larguar nga detyra e policisë me shkelje dhe abuzim në detyrë. Ai është shkarkuar nga Haki Çako, për abuzime. Thuhet se është pezulluar edhe disa herë nga puna, i është nënshtruar procedimit disiplinor, i është ulur grada si pasojë e masave disiplinore.

Harrojeni se ka integrim, dhe çdo shqiptar që kërkon të rikthejmë shpresën, çdo shqiptar që e quan tragjedi kombëtare eksodin masiv të qytetarëve, nuk do ta lejojë këtë. Rama nuk lejon zgjedhje as në partinë e tij, por qytetarët në zgjedhje do t’i tregojnë vendin”, tha Berisha.