Berisha: Si e binda Ibrahim Rugovën të takonte Micotaqis në Greqi

30.05.2019 23:13:16

Në intervistën e tij të gjatë me Berat Buzhalën, gazetarin nga Prishtina, ish-kryeministri Berisha foli për disa çështje që kanë të bëjnë me Kosovën që nga viti 1992 e deri në momentin e tanishëm, kur diskutohet për territoret dhe dialogu Beograd-Prishtinë. Gjithashtu, Berisha rrëfeu edhe disa fakte, që sipas tij ishin të vërteta dhe askush nuk mund të vendosë dyshime.

Berisha konfirmoi edhe një bisedë me ish-presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova, duke thënë se me të “fliste hapur”. “I thashë të takonte Konstadin Micotaqis, ish-kryeministër i Greqisë në vitin 1992 dhe pasi i argumentova pse duhet ta takonte, pranoi shumë miqësisht” – deklaroi Berisha.

“Micotaqis ishte lider në atë kohë dhe madje edhe autoritetet më të larta amerikane e vlerësonin dhe nuk kishte arsye pse të mos e takonte Rugova”- tha Berisha, duke e ritheksuar se Rugova i dëgjonte këshillat e tij. Ndërkohë, për çështjen e Kosovës, Berisha foli për shumë detaje, një prej të cilave lidhet edhe me Marrëveshjen e Rambujesë dhe Thaçin.

“Thaçi është peng për 200 dosjet e të vrarëve të anëtarëve të LDK-së pas luftës. Ai është argat i Serbisë dhe unë kurrë nuk do të pranoja pazar me territor të Kosovës. Ka marrë fund ideja për ndarje dhe Thaçi se di për çfarë flet” – tha Berisha.

Por, Berisha u kujdes të vërë në dukje edhe “meritat” e tij. Një prej tyre, sipas tij ishte kërkesa për të mos bombarduar Beogradin, por instalimet ushtarake të ushtrisë serbe. Nuk i shpëtoi edhe deklaratës se projekti i Serbisë fshihet prapa bashkimit kombëtar.