Aktakuzat e para nga Gjykata Speciale ngritën në fund të vitit?

07.02.2017 17:32:10
Shefja e misionit të EULEX-it në Kosovë, Aleksandra Papadopoulou, ka emëruar të martën, 19 gjykatës ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara të Kosovës, të Gjykatës Speciale.
Në një kumtesë të Dhomave të Specializuara të Kosovës, thuhej se në kuadër të emërimeve janë përfshirë edhe ai I nënkryetarit të Dhomave dhe katër gjykatësve të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese.

“Gjykatësit e emëruar do të jenë fizikisht të pranishëm në selinë e Dhomave të Specializuara vetëm me kërkesë të Kryetarit, për ushtrimin e detyrave që diktojnë praninë e tyre”, thuhet në kumtesë.

“Hapi i ardhshëm është seanca e parë plenare të cilën unë do ta thërras së shpejti, dhe gjatë së cilës do të miratohet Rregullorja e Procedurës dhe e Provave e Dhomave të Specializuara që rregullon kryerjen e procedurave gjyqësore para Dhomave të Specializuara”, citohet Trendafilova në një kumtesë të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Në anën tjetër, burime të lajmi.net thonë se Gjykata Speciale aktakuzat e reja kundër ish udhëheqësve të UÇK-së nuk do të mund t’i ngris deri në fund të këtij viti.

Nëpër media vazhdimisht kanë qarkulluar emra se kush mund të jenë të akuzuarit nga Gjykata Speciale, mirëpo deri me tash asnjë emër zyrtarisht nuk është publikuar nga Specialja.

Gjykata Speciale në seli në Hagë të Holandës do të merret me krimet e kryerja nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000.