Berisha: Zgjedhjet janë afër (Video)

14.10.2016 23:24:11

Sekretari organizativ i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe njëherësh deputet i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Ali Berisha, duke folur për arrestimin e drejtorit të Policisë në Mitrovicë, Nehat Thaçi, thotë se Serbia në vazhdimësi po provokon Kosovën.

Ai përmend edhe rastet kur krerë të shtetit të Serbisë vijnë në Kosovës lirshëm dhe fyejnë institucionet e qytetarët e Kosovës. Lidhur me këtë ai thotë se Kosova duhet ta forcojë shtetin e të jetë më i dinjitetshëm.

I ftuar në emisionin “Kontakt“ në Tribuna Channel, Berisha ka thënë se Lista Serbe po bën presion politik për ndonjë benificion që pretendon ta nxjerr. Megjithatë, thotë se ankesa e Listës Serbe për Ligjin për Trepçënh drejtuar Gjykatës Kushtetuese, është hap i mirë drejtë njohjes së institucioneve të Republikës së Kosovës.

Sa i përket Demarkacionit me Malin e Zi, Berisha mendon se forma më e mirë është që partitë politike të dakordohen që atë marrëveshje ta sjellin në Kuvend dhe përmes votës ta rrëzojnë dhe të fillojë një proces tjetër i ri i negocimit me Malin e Zi.

Berisha thotë se shumica e liderëve të partive politike janë në terren dhe po shihet një frymë se zgjedhjet janë afër.

“Besoj se do të jemi pjesë e Qeverisë së ardhshme të Kosovës”, ka thënë ai.