BERJANI: S’KA ÇMIME TË LARTA NAFTE, PROKURORIA TË NA HETOJË

26.12.2018 22:38:33

Prokurorisë së Shtetit i është kërkuar që të hetojë nëse kompanitë që importojnë karburante në Kosovë, kanë çmime të larta dhe nëse ato kanë marrëveshje për çmime. Në IMAZH të RTK-së e ka konfirmuar këtë Fadil Berjani, Kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.

“Shumë mirë që hetuesia po hyn në këtë punë, dhe nëse ka dallavere ato të dalin në pah”, deklaroi Berjani.

Sipas tij, Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar këtë me dyshimin që ka kartel, por Berjani e mohoi këtë gjë, duke thënë se s’ka diçka të tillë.

Kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës insistoi se derivatet në Kosovë shiten me çmimin më të lirë në regjion, pas Maqedonisë. Ai nuk ka qenë në gjendje të tregojë nëse një kompani kontrollon shumicën e vendit me furnizim me derivate, dhe as nëse 2 ose 3 kompani përcaktojnë çmimin e derivateve. Ai ka kërkuar që të takohet me kryeministrin Haradinaj dhe të sqarojnë edhe reagimin e tij sa i përket çmimeve të derivateve.