Besart Berisha Vendimtar për Melburn Victory

17.12.2016 14:59:04

Besart Berisha i jep fitoren në derbi skuadrës së tij Melbourne Victory. Falë një finalizimi të sulmuesit shqiptar të besuarit e trajnerit Kevin Muscat triumfuan me rezultatin 2-1 në stadiumin Ammi Park ndaj rivalëve të urryer të Melbourne City. 12 minuta përpara fundit, Berisha u gjend në vendin dhe në kohën e duhur, për të realizuar golin e tij të 9-t në këtë sezon të A-League dhe më të rëndësishmin deri tani. Falë fitores në derbin e qytetit, Melbourne Victory parakaloi, Melbourne City-in në tabelën e klasfikimit duke u ngjitur në vendin e 2-t të renditjes në kuotën e 20 pikëve. Sfida e Ammi Park nisi në malore për skuadrën e Besart Berishës.

Në minutën e 16-t veterani Tim Cahill i rikthyer në vendlindje pas një periudhe të gjatë, realizoi golin e epërsisë për Melbourne City që luante si skuadër pritëse në këtë takim. Por nuk vonoi shumë dhe Rojas barazoi shifrat duke rikthyer qetësinë te Victory. Në minutën e 78-t erdhi edhe momenti i Berishës që i asistuar nga Rojas shënoi golin e fitores për formacionin e trajnerit Kevin Muscat. Vijon në këtë mënyrë forma fantastike e 31-vjecarit nga Prishtina i cili në 3 ndeshjet e fundit të kampionatit australian ka realizuar 5 gola. Tashmë Berisha kryeson i vetëm listën e golashënuesve të A-League në kuotën e 9 finalizimeve.