Betejë me video për Teatrin, Basha i kundërpërgjigjet Ramës: Artist i mashtrimit!

31.07.2019 20:58:31

Beteja mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës për Teatrin Kombëtar është zhvendosur në facebook. Pak minuta pasi Edi Rama publikoi një video dhe garantoi qytetarët se asnjë cm2 i truallit ekzistues të Teatrit nuk preket, ka reaguar edhe lideri i PD.

Basha shkruan se Rama është artist i mashtrimit, ndërsa publikon edhe një video.

“Asnjë fjalë për bankomatin e tij privat Vangjush Dakon nuk belbëzon sot Edi Rama, ky artist i mashtrimit. Por vazhdon të mashtrojë për Aferën e 6 kullave 200 milionë euro. Çdo gjë që thotë, është mashtrim, pasi qëllimi i tij i vetëm është të vjedhë. Shikoni më poshtë si mashtron hajduti psiqik për Teatrin”, shkruan Basha.

Ja statusi dhe video e Ramës

Eshtë folur e stërfolur, shpifur e stërshpifur, akuzuar e stërakuzuar, për truallin e teatrit që do “kafshohet” nga privati! Në fakt asnjë CM2 e truallit të teatrit nuk do të preket nga asnjë privat dhe mbi të do të ndërtohet vetëm Teatri i Ri Kombëtar.

Ndërsa po, është e vërtetë që matanë murit rrethues të teatrit ekzistues, ka një truall në pronë të bashkisë që do t’i jepet privatit, NË KËMBIM TË TEATRIT TË RI që privati do të ndërtojë me kapitalin e tij, pa asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit! Dhe trualli në fjalë është ky që do të shikoni në këtë video.

Shikojeni dhe më thoni:

A është ky truall një vlerë arkeologjike, historike, kombëtare apo kulturore, që po e humbet Shqipëria me këtë partneritet Publik-Privat për Teatrin e Ri Kombëtar? Dhe nëse jo, a nuk i’a vlen që në këmbim të këtij trualli, i cili do t’i bashkëngjitet pronave private përreth, Shqipëria të përfitojë një Teatër të Ri Kombëtar të denjë për Shqipërinë që duam?

Shikim të mbarë”, shkruan Rama.