Bizneset kosovare ankohen se Serbia po bllokon tregtinë e lirë

29.09.2017 18:17:52

Me peshoren e tregtisë mes Kosovës dhe Serbisë që anon nga kjo e fundit, bizneset dhe ekonomikët në Kosovë thonë se është koha për më shumë presion ndaj Beogradit për të lejuar tregtinë e lirë.

Bizneset në Kosovë po protestojnë kundër asaj që e shohin si përpjekje të qëllimshme të Serbisë dhe Maqedonisë për të bllokuar importet nga Kosova, duke shkelur angazhimin për tregti të lirë.

Eksperti i ekonomisë në Prishtinë Naim Gashi shprehet se ndërsa vlera e tregtisë Kosovë-Serbi është rreth 450 milionë euro në vit, peshorja anon nga Serbia.

Eksportet serbe në Kosovë janë 425 milionë, ndërsa eksportet e Kosovës në Serbi kanë një vlerë prej 25 milionë eurosh.

“Kemi një hendek të madh në balancën tregtare mes dy vendeve. Serbia shet shumë mallra në Kosovë, por masat burokratike parandalojnë që mallrat e Kosovës të mbërrijnë në Serbi,” tha Gashi për BIRN.

Në teori, Kosova dhe Serbia janë të dyja të angazhuara ndaj tregtisë së lirë nëpërmjet Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore, CEFTA, e iniciuar nga BE në vitin 2006.

Por një raport i prezantuar nga Oda Ekonomike në Kosovë të enjten vërejti se Kosova ende përballet me pengesat e mëdha në tregtinë me fqinjët.

Pengesat ishin të shumta, përfshirë barrierat teknike të tregtisë dhe standardet e higjienës dhe ato fitosanitare, si dhe masat që Kosova nuk i përmbush në sytë e Serbisë.

Raporti gjithashtu thotë se procedurat në doganat serbe dhe mungesa e komunikimeve direkte bëjnë që marrëveshjet të kalojnë shpesh përmes ndërmjetësuesve të tretë.

“Prodhuesit në Kosovë thonë se është më e lehtë të eksportohen mallra në BE ose Zvicër se në Serbi dhe Maqedoni për shkak të burokracive të qëllimshme që këto dy vende përdorin për të mbrojtur prodhimet e tyre,” tha Gashi.

Ai nxiti BE0-në të kushtëzojë progresin e vendeve Ballkanike si Serbia në BE kundrejt respektimit të tregtisë së lirë.

Raporti rekomandon rëndësi më të madhe për kriteret ekonomike në negociatat politike të BE-së mbi normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel.

Ai rekomandon heqjen e të gjitha barrierave doganore dhe jodoganore që shkelin kushtet e marrëveshjes CEFTA dhe kufizojnë tregtinë e lirë.

Raporti gjithashtu kërkoi bashkëpunim të thelluar mes dhomave të tregtisë së dy vendeve.

“Duke konsideruar vëllimin dhe strukturën e shkëmbimit të mallrave mes Serbisë dhe Kosovës, liberalizimi i tregtisë është në interes të të dyja palëve,” shkruan raporti.