Blerand Stavileci, po kur vriteshin personalitete politike të LDK-së dhe gazetarë nuk bëhej fjalë për terrorizëm?

Nga Rexhep Kastrati

Blerand Stavileci në emër të PDK-së e ka cilësuar VV-në terroriste, për shkak se njerëz të saj paskan themeluar “Syrin e Popullit” që paska pasur në listë emrat e 20 personaliteteve të ndeyshme!

Mirëpo, Blerandi dhe PDK para se të flasin për terrorizëm, duhet të kujtojnë se veprimtarinë anarkiste dhe të dhunshme të VV-së e kam denoncuar vazhdimisht dhe e kam cilësuar me elemente terroriste edhe gjatë viteve 2015 – 2016, kohë kur kishin një bashkërendim të heshtur me të, e që përfundoi me bashkimin e plotë multietnik në krye me PDK-në për rrëzimin e Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Mustafa edhe me ndihmën e veglave kondomë brenda e rreth LDK-së që tash po heshtin si në varr.

Përveç kësaj, Blerandi dhe PDK e dinë se Albin Kurti është produkt politik i Adem Demaçit, Hashim Thaçit, Veton Surroit, kurse KAN-VV është sintetizim i linjës së Tiranës/Kretës dhe asaj udbasho-jugosllavokomuniste të krijuara për të rrënuar organizimin politiko-instirucional të shqiptarëve në krye me presidentin Rugova. Blerandi duhet të pyesë Hashim Thaçin a ka pasur takime sekrete me Adem Demaçin në lokalet e kompanisë “Salbatring”, në Prishtinë? Edhe Vetonin duhet ta pyesë a ka pasur takime të tilla në “Salbatring”?

Nëse “Syri i Popullit”, pra edhe VV janë terroriste se paskan bërë një listë me emrat e 20 personaliteteve, çka mund të thotë për PDK-në, e cila ka pasur SHIK-un si organizatë që ka punuar për të? Po ZKZ, për kē ka punuar? Po hartimi i listave për likuidim të personaliteteve gjatë dhe pas luftës, dhe likuidimi i personaliteteve të rëndësishme të LDK-së dhe në përgjithësi të linjës institucionaliste, a nuk kanë qenë akte terroriste? Po ata që i kanë hartuar këto lista, dhe ata që kanë planifukuar, organizuar dhe realizuar vrasjet politike, a nuk kanë qenë dhe a nuk janë terroristë?

Dhe nuk bëhet fjalë për listë me 20 emra, por për shifra treshifrore, si dhe për të vrarë të shumtë në numër.

Të kujtojmë: janë vrarë personalitete të larta si kolonel Ahmet Kradniqi e kolonel Tahir Zemaj, Xhemail Mustafa e Enver Maloku, Shaban Manaj e Ismet Rraci, Ukë Bytyçi e Smajl Hajdaraj, gazetarë si Shefki Popova e Ali Ukaj, Bekim Kastrati e Bardhyl Ajeti dhe dhjetra apo qindra të tjerë.

Dhe ka qenë një strategji e njëjtë sikurse e Serbisë, e cila, po ashtu, ka eliminuar zyrtarë të lartë: Fehmi Agani, Latif Berisha, Agim Hajrizin etj.

Pra ishte një strategji për eliminimin e personaliteteve të rëndësishme të Kosovës.

A  mundet Blerandi dhe PDK t’i çuajnë terroriste të gjitha këto dhe terroristë të gjithë ata që kanë hartuar lista dhe që kanë eliminuar personalitete të rëndësishme të Kosovës?