“Blici rrugor”, polica për një orë shpërndau 400 tiketa

18.03.2017 16:15:34
Ka mjaftuar vetëm një orë për të vënë rreth 100 gjoba për mos vendosjen e rripit të sigurimit gjatë udhëtimit me makinë.

Gjatë operacionit “Blici Rrugor” të shtrirë në akset kryesore në Shqipëri dhe zonat Urbane, efektivët e policisë rrugore nga ora 12:30 deri në orën 13:30, morën rreth 400 masa administrative për shkeljet e bëra, kryesisht për rripin, shpejtësinë tej normave dhe përdorimin e celularit në timon.

Në aksionin e gjerë të ditës së sotme u angazhuan rreth 665  punonjës Policie në total si dhe u ngritën e funksionuan 125 pika kontrolli në të gjithë vendin.

Policia Rrugore e mbështetur dhe nga Patrullat e Përgjithshme dhe Shqiponjat vendosën:

96 masa administrative për mosvendosje të rripit të sigurimit.

139 masa administrative për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit.

Si dhe 141 masa administrative për shkelje të tjera, si shpejtësi tej normave të lejuara, për mosvendosje të kaskës mbrojtëse etj.

“Ndërgjegjësimi i qytetarëve për rëndësinë e vendosjes së rripit të sigurimit, për mos përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit por edhe të respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor në tërësi, janë prioritet i punës së Policisë Rrugore dhe asaj të Rendit  me qëllim   parandalimin e aksidenteve rrugore”, – thuhet në një njoftim zyrtar të Policisë së Tiranës.