Bombardime të reja në Siri, vriten 25 xhihadistë

03.01.2017 22:32:57
Sulmet ajrore në veri të Sirisë i kanë marrë jetën të paktën 25 pjesëtarëve të një grupi të madh xhihadist, përfshirë figura të larta të tij, kanë bërë të ditur vëzhguesit.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, me seli në Britani të Madhe, ka thënë se nuk është e qartë se kush i ka ndërmarrë sulmet kundër grupit Jabhat Fateh al-Sham, i njohur më parë si Fronti Al-Nusra, transmeton Gazeta Express.

Observatori ka thënë se nuk ka mundur të përcaktojë nëse bombardimet, në provincën e Idlibit, janë kryer nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo nga Rusia.

Në mesin e të vrarëve janë udhëheqës të Jabhat Fateh al-Shamit, të cilët po mbanin një mbledhje atje, ka bërë të ditur Observatori, pa i identifikuar ata. Shumë xhihadistë të tjerë janë plagosur, ka treguar Observatori.

Abu Anas al-Shami, udhëheqës i Jabhat Fateh al-Shamit, ka thënë nëpërmjet një komunikate se sulmet janë kryer nga koalicioni i udhëhequr nga SHBA’ja.