Bordi i Aksionarëve të Gulistanit: Të arrestuarit janë ende në Aeroportin e Prishtinës – të lirohen menjëherë

29.03.2018 18:59:24

Bordi i Aksionerëve të Gulistan ka reaguar pasdite me anë të një komunikate për media me anë së cilës shprehin shqetësimin e tyre për arrestimin e disa drejtuesve të këtij institucioni arsimor.

“Shtetasit e ndaluar nga organet policore, janë rezident te ligjshëm dhe me një aktivitet ndër vite, konform ligjeve të Republikës së Kosovës. Nisur nga kjo situate e paprecedente krijuar me ndalimin e aksionerit kryesor, Mustafa Erdem, si dhe drejtuesve të shkollave, ju bëjmë me dije se pasojat çojnë në paralizimin e aktivitetit të të gjitha institucioneve arsimore në varësi të QEA Gulistan. Për pasojë, të dëmtuarit kryesorë nga ky akt joligjor, janë nxënësit dhe familjet e tyre, të cilët kanë të drejtë të mos u ndikohet në asnjë lloj formë aktiviteti arsimor”, thuhet në reagim.

Sipas tyre është përgjegjësi direkte e aktorëve politikë dhe ligjvënës që të garantojnë të drejtat e qytetarëve të Kosovës. Ndërsa cenimi i qasjes ndaj arsimit të fëmijëve kosovarë, përbën një shkelje te rende, me pasoja ndaj tyre.

“Institucionet arsimore, të licensuar prej vitesh në Kosovë, kanë dhënë një kontribut të paçmueshëm në edukimin e brezave te rinj. Institucionet në fjalë, gjatë gjithë kohës së aktivitetit të tyre, falë sukseseve dhe arritjeve të larta, gëzojnë mbështetje dhe vlerësime nga shoqëria kosovare dhe të gjitha institucionet monitoruese dhe përgjegjëse për arsimin”, thuhet në reagim.

Kompania QEA Gulistan ushtron aktivitetin e saj, në përputhje me të gjitha detyrimet ligjore. Nga ana tjetër këto veprime të pajustifikuar ligjërisht, dëmtojnë aktivitetin tregtar të kompanisë, të drejtat e të cilës Bordi i Aksionerëve është i vendosur t’i mbrojë në respekt të kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të drejtave ndërkombëtare.

“Kjo situatë kërkon ndërhyrjen e menjëhershme, të të gjithë të institucioneve dhe agjencive ligjzbatuese të Republikës së Kosovës për të evituar dëmet e mëtejshme të këtij veprim i të padenjë për Republikën e Kosovës. Bordi i Aksionerëve po ndjek nga afër këtë situate dhe kërkon vënien para përgjegjësisë të të gjithë personave të cilët me veprimet ose mosveprimet e tyre të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë dhe turpëruese për imazhin e Republikës së Kosovës. Kërkojmë lirimin e menjëhershme të të gjithë të ndaluarve për të kthyer në normalitet aktivitetin arsimor sepse në dijeninë tonë ata janë ende në aeroportin e Prishtinës”, thuhet në reagim.