Borrell flet për takimin Hoti-Vuçiq: Biseduam për tema aspak të lehta, kishte mosmarrëveshje

18.07.2020 12:18:03

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, vlerësoi se vazhdimi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë  është një moment i rëndësishëm për të dhe për BE-në, dhe shtoi se është një nga prioritetet e tij kryesore, njoftoi Shërbimi Evropian për Punë të Jashtme.

Duke komentuar takimin e të enjtes në Bruksel, në të cilin Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u takuan nën përkujdesjen e BE-së, Borel tha se ishte një moment i rëndësishëm.

“Ishte një moment i rëndësishëm për mua dhe Bashkimin Evropian. Dialogu, të cilin BE filloi ta lehtësojë në vitin 2011, është në thelb të asaj që ne duam të bëjmë në Ballkanin Perëndimor,” tha Borrell, duke shtuar se ishte një nga prioritetet e tij kryesore.

Borrell falënderoi kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin francez, Emmanuel Macron për mesazhin e tyre të mbështetjes për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, duke organizuar një takim në Paris.

Duke iu referuar takimit të së enjtes në Bruksel, Borrell tha se u diskutua për tema aspak të lehta.

“Ne e kaluam tërë pasditen dhe një pjesë të mbrëmjes në bisedime intensive me të dy partnerët. Këto nuk ishin diskutime të lehta. Temat ishin personat e zhdukur, personat e zhvendosur dhe këto janë çështje shumë të ndjeshme dhe janë pjesë themelore (në proces) të  pajtimit. Gjithashtu  biseduam për bashkëpunimin ekonomik, i cili për mua përfaqëson një lidhje të ardhshme në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ato i përkasin të njëjtës zonë dhe udhëtojnë në të njëjtin destinacion – Evropësi”, tha ai..

“Në të ardhmen, njerëzit e tyre, kapitali dhe mallrat duhet të lëvizin lirshëm, ata gjithashtu duhet të punojnë së bashku për të zhvilluar ekonominë dhe infrastrukturën”, tha Borrell, duke shtuar se kjo është me interes të ndërsjellë, dhe se BE ka bërë shumë përpjekje për krijimin e kornizës për një bashkëpunim të tillë.

“Puna jonë me Presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Hoti teksa ka filluar. Ne duhet të arrijmë shumë së bashku për të mirën e Serbisë, Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Unë e respektoj faktin që ata i paraqitën pikëpamjet e tyre me ndershmëri dhe konstruktivetet të enjten, edhe pse pati mosmarrëveshje”, tha Borell.

Ai shtoi se ishte “i impresionuar” me faktin se ata ishin të gatshëm për të vazhduar punën.

“Ne kemi kërkuar që ata të dërgojnë ekipet e tyre qysh javën e ardhshme, që të mos humbim kohë. Dhe do të takohemi me Presidentin Vuçiq dhe Kryeministrin Hoti në shtator. Jam i lumtur që do të punoj me ta dhe jam i kënaqur që mund të mbështetemi në përvojën e gjatë diplomatike të Përfaqësuesit Special të BE-së e Miroslav Lajçak për këtë detyrë komplekse”, deklaroi Borrell.