Borussia Monchengladbach kalon Mainz mes polemikave, fiton edhe Leverkusen

11.12.2016 21:06:41

Borussia Monchengladbach rikthehet te fitorja pas 8 ndeshjeve në Bundesliga. Bardhjeshilët e drejtuar nga Andre Schubert kaluan 1-0 në “Borussia Bark” Mainzin mes polemikave të shumta duke fituar tre pikë të rëndësishme për t’u shkëputur me 6 pikë diferencë nga zona e ftohtë. Gjatë minutave të para skuadrat u treguan të kujdesshme duke mos lejuar hapësira dhe rastin e parë të vërtetë e krijoi Karim Onisiwo në të 35-n me një goditje qëndrore por pa problem për portierin Sommer. Fraksioni i parë nuk dhuroi emocione të veçanta me vendasit të pafuqishëm për të imponuar ritmin dhe miqtë të kujdesshëm në mbrojtje. Me rikthimin e skuadrave në fushë tabloja nuk ndryshoi sepse ishte minuta e 65-të kur Oscar Wendt goditi nga distanca por Jonas Lossl nuk pati probleme në interceptimin e topit. 14 minuta nga fundi Andreas Christensen u ndodh në vendin e duhur në momentin e duhur. Topi përfundoi në këmbët e tij që nga brenda zonës së rreptësisë arrin të shënjestrojë saktësisht cepin e djathtë të portës së Mainzit.

Miqtë nuk u pajtuan me këtë rezultat duke i përqëndruar të gjitha forcat në sulm dhe arritën ta gjenin golin e barazimit në minutën e fundit me Pablo De Blasis. Gjithsesi, arbitri anësor nuk ishte i të njëjtit mendim, duke e cilësuar të parregullt aksionin. Gol i anuluar dhe polemika mes gjyqtarit dhe lojtarëve të Mainz. Një sfidë e mbyllur mes polemikave por që rikthen Borussia Mounchengladbach te fitorja dhe me vetëm një pikë më pak në klasifikim se Mainz që mban vendin e 11-të.

Në përballjen tjetër të ditës së dielë, Schalke 04 u mund në shtëpi nga Bayer Leverkusen që arriti të dilte me 3 pikë nga “Veltins Arena”. Një ndeshje e luftuar në Genselkirchen ku “Aspirinat” përfituan edhe nga superioriteti numerik pasi luajtën pothuajse gjatë gjithë takimit me një lojtar më shumë. Naldo e la skuadrën vendase me 10 lojtarë që në minutën e 4-t pasi u ndëshkua me karton të kuq. Schalke krijoi shumë por gjatë minutave të fundit tregoi limitet fizike për shkak të lodhjes së madhe dhe ishte Kiessling njeriu që zhbllokoi sfidën vetëm një minutë nga fundi i ndeshjes. Me këtë fitore, Bayern Leverkusen shkon në kuotën e 20 pikëve, 3 më shumë se Schalke 04.