Britania e Madhe acarohet me veprimet e Rusisë, fton ambasadorin rus në Londër

15.04.2021 21:51:05

Ministria e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe thirri ambasadorin rus në Londër, Andrei Kelin, për shkak të “veprimtarisë armiqësore” të Rusisë.

“Zyra e Jashtme britanike e ftoi ambasadorin rus për shkak të shqetësimit të thellë të Britanisë mbi sjelljen armiqësore të Rusisë, duke përfshirë sulmet kibernetike, ndërhyrjen në proceset diplomatike, rritjen e pranisë ushtarake në kufirin ukrainas dhe për aneksimin e paligjshëm të Krimesë”, thuhej në deklaratë.

Në të njëjtën kohë, ambasadori rus në Varshavë Sergei Andreyev ishte i ftuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Polonisë. Arsyeja lidhet me futjen e sotme të sanksioneve të reja amerikane kundër Rusisë, si dhe për shkak të situatës në Ukrainë, shkruan guardian.

Më parë, autoritetet britanike akuzuan Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme së Rusisë se qëndron pas sulmit kibernetik SolarWinds.

Shtetet e Bashkuara njoftuan sot me sanksionet e reja ndaj gjashtë kompanive teknologjike ruse, si dhe do të dëbojnë dhjetë diplomatë rusë.