Bushati: Në Teheran trajtuam çështjen e Kosovës

06.02.2017 18:43:09

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, sot para Komisionin e Jashtëm, shprehu angazhimin e palës shqiptare për intensifikimin e marrëdhënieve me Iranin, pas vizitës së tij në Teheran që zhvilloi në janar të këtij viti.

“Qëllimi i vizitës sonë ishte që të fillojmë të nxjerrim marrëdhënien tonë nga stanjacioni, por dhe që të testojmë gatishmërinë e palës tjetër për të hapur rrugë konkrete bashkëpunimi. Ne këtë kuadër u nënshkrua dhe një protokoll klasik bashkëpunimi që do i krijojë mundësi shërbimit të jashtëm për konsulta diplomatike dhe politike”, ka njoftuar Bushati.

Kreu i diplomacisë shqiptare tha se ne takimet zyrtare në Teheran trajtoi dhe çështjen e Kosovës, pasi Irani, sipas tij, është një akter i rëndësishëm rajonal, i njohur për impaktin që ka edhe mbi tre vendet: Irak, Liban dhe Siri, që nuk e kanë njohur Kosovën.

Ministri i Jashtem e vuri theksin dhe tek interesi i palës iraniane për kontaktet parlamentare, përmes krijimit të grupit të miqësisë edhe në parlamentin shqiptar.