Bytyqi: MASHT do të jetë anëtare në COST më 10 prill

03.04.2018 14:04:21

Ministria e Arsimit deri më 10 prill do të jetë anëtare e programit të Bashkëpunimit Evropian në Shkencë dhe Teknologji (COST), anëtarësim i cili mundëson perspektivë të re në aspektin e inovacioneve.

Kështu deklaroi ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, gjatë dëgjimit publik lidhur me Projektligjin për Inovacion Shkencor dhe Transfer të Dijes dhe Teknologjisë.

“Konsideroj se debate të tilla do të shërbejnë që ligji të pasurohet, të jetë një ligj sa më funksional. Nuk e përfshinë vetëm Ministrinë e Arsimit, por përfshinë edhe institucione të rëndësishme që kanë të bëjnë me çështjen e inovacionit dhe transferit të dijes. Është një lajm i mirë që besoj që diku deri më 10 prill të këtij viti, ne do të bëhemi fqinjë të parë, anëtar të COST-it që po ashtu është një perspektivë e re që ka të bëjë me çështjen e inovacioneve që ne mund t’i përfitojmë”, tha ministri Bytyqi.

Ndërsa kryetari i Komisionit, Ismajl Kurteshi tha se ky projektligj ka ardhur në këtë komision para pak më shumë se dy javë, dhe ky dëgjim publik i hap rrugë shqyrtimit të tij nen për nen, deri sa pritet që shumë shpejt aprovimi i tij në Kuvendin e Kosovës.

“Shpresoj se në kohën e paraparë ky projektligj do të shkojë në seancën e Kuvendit dhe atje do të aprovohet dhe do të del si një ligj që do t’i shërbejë kësaj fushe shumë të rëndësishme”, tha ai.

Vanesa Rexhepi, këshilltare në Ministrinë e Inovacionit, tha se ky projektligj ndikon në zhvillimin e ideve inovative te të rinjtë, derisa Ministria e Inovacionit dhe ajo e Arsimit do të vazhdojnë bashkëpunimin në këtë drejtim.

“Mendoj se ky projektligj është i qartë për bashkëpunimin e Ministrisë së Inovacionit me Ministrinë e Arsimit dhe përgjegjësisë që bien mbi Ministrinë e Arsimit, për shkak të projekteve të shumta për ndërtimin e shumë objekteve të reja, për mundësinë për të rinjtë, të studentëve, të praktikantëve, që të inkuadrohen në këtë fazë të re të teknologjisë, inovacionit dhe ideve të reja”, u shpreh ajo.

Në anën tjetër, Arianit Zabërgja, bashkëthemelues i kompanisë “Formon” dhe përfaqësues i ICK-së, tha se projektligji është bërë në kohë të qëlluar.

Ai tha se një produkt që prodhohet duhet të jetë konform rregullativave evropiane apo certifikimeve me CE standarde, dhe për këtë theksoi se bartës të këtij projektligji duhet të jenë edhe laboratori parafabrikues dhe laboratori paratestues.

“Shihet se mungon laboratori parafabrikues, që do të thotë se do të duhej të ishte sidomos nëpër universitete publike që çdo student që e ka një ide për ta realizuar, t’i ketë mundësitë e prodhimit të asaj ideje, do të thotë t’i ketë makineritë speciale që atij ia mundësojnë krijimin e asaj ideje apo produkti. 13’51” Në këtë rast bartës duhet të jenë laboratori parafabrikues dhe laboratori paratestues konform rregullativave evropiane”, tha ai.

Në këtë rast, ministri Shyqyri Bytyqi sqaroi se projektligji flet për inovacion shkencor dhe jo për produktet e prekshme.

Ndërsa Hysen Matoshi nga Instituti Albanologjik, tha se në këtë projektligj janë përmendur një numër i bartësve të inovacionit shkencor dhe se ka një shpërputhje të kapaciteteve që kanë institucionet, ku sipas tij është dashur të fillohet me universitetet.

“Prandaj, mendoj se në rend të parë duhet të viheshin universitetet të cilat kanë potencial jashtëzakonisht të madh me njësitë e tyre, veçmas në fushën e shkencave teknike, të natyrës e të tjera, të cilat mund të kenë rezultate të shumta. Dhe pikat 1.6 dhe 1/7 duhet të ndryshohen në rendet e tyre, Institucionet e Arsimit të Lartë duhet të jenë para personave fizik dhe personat fizik të jenë krejt në fund”, tha ai.