Çamët kritikojnë Greqinë për letrën që Kocias ia ka bërë komisionerit Hahn për çështjen çame

12.10.2016 09:59:08

Kryetari i shoqatës “Çamëria”, Dr.Abaz Hado përshëndeti deklaratën e Komisionerit Johanes Hahn, ku vuri theksin tek zgjidhja e çështjes çame me Greqinë. Sipas tij, Be në këtë mënyrë u ka kërkuar shtetit fqinj që zgjidhja e çështjes çame të realizohet përmes dialogut. Por Hado thotë se  Greqia edhe njëherë kërkon që kjo çështje të qëndrojë e fshehur, me shpresën se do të harrohet genocidi që u bë ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Shoqata “Çamëria” dënon ashpër edhe letrën e ministrit të jashtëm grek Niko Kotzias, i cili i kërkon komisionerit Hahn që të tërheqë deklaratën për njohjen e çështjes çame.

“Në një kohë që çështja çame është pjesë e diskutimeve të Bashkimit Evropian, Greqia edhe njëherë po kërkon të mohojë genocidin që është bërë ndaj shqiptarëve të Çamërisë në vitin 1944.

Shoqata “Çamëria” përshëndet deklaratën e Komisionerit Johanes Hahn, ku vuri theksin tek zgjidhja e çështjes çame. Bashkimi Evropian në këtë mënyrë, i ka kërkuar Greqisë, që zgjidhja e çështjes çame të realizohet përmes dialogut. Por, Greqia edhe njëherë kërkon që kjo çështje të qëndrojë e fshehur, me shpresën se do të harrohet genocidi që u bë ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Deklarata e Greqisë, ku akuzon një zyrtar të lartë evropian, nuk është gjë tjetër, veçse dëshpërimi i një shteti, i cili pasi ka larguar nga trojet e veta mijëra shqiptarë, tashmë kërkon që të mashtrojë opinionin publik.

Shoqata “Çamëria” dënon ashpër edhe letrën e ministrit të jashtëm grek Niko Kotzias, i cili i kërkon komisionerit Hahn që të tërheqë deklaratën për njohjen e çështjes çame. Kotziasi e di shumë mire se, nuk harrohen largimet masive të shqiptarëve të Çamërisë, ku rreth 90% e tyre morën rrugën drejt Shqipërisë.

Nuk mund të harrohen qindra gra, burra dhe fëmijë, të cilëve rruga iu ndërpre në mes nga torturat dhe vrasjet. Nuk mund të harrohen të parët tanë, të cilët u treten eshtrat në atë tokë. Për këto arsye edhe Bashkimi Evropian nuk mund harrojë çështjen çame, tashmë një çështje e ndërkombëtarizuar.

Çështja çame tashmë nuk ka kthim mbrapa. Bashkimi Evropian nuk ka frikë nga Greqia, prandaj z.Kotzias dhe shteti grek duhet të mësojnë të pranojnë këtë çështje dhe të ulen në tavolinën e diskutimeve.

Në përputhje me Rezolutën për Shqiptarët e Çamërisë dhe qëndrimet e të gjithë forcave kryesore politike dhe qeverisë shqiptare, Shoqata “Çameria” i kërkon çdo dinjitari të shtetit Shqiptar të kërkojë hapur e në mënyrë të drejtpërdrejtë, dialogun me shtetin grek, për zgjidhjen e çështjes çame.