Certifikohen 120 shërbyes civil në AUK

15.06.2017 17:37:35

Njëqind e njëzet shërbyesve civil janë certifikuar në një ceremoni në AUK, të cilët ishin pjesëmarrës të programit për zhvillim të politikave publike dhe lidershipit të financuar nga USAID dhe implementuar nga RIT Kosovo (A.U.K).

Pjesëmarrës të kësaj kohorte të tretë ishin shërbyesit civil që përfaqësonin institucionet e nivelit qendror.

Sipas një komunikate të  se synimi i këtij programi 14 javor është që të zhvillojë kapacitetet e shërbyesve civil në lidership profesional, analiza të politikave publike, vlerësim të programeve ekzistuese publike, dhe vendimmarrje të bazuar në dëshmi; duke u fokusuar në fushat e diplomacisë dhe sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik, zhvillimit të politikave sociale, energjetike dhe mjedisore, si dhe zhvillim të politikave në planifikim rural, urban dhe rajonal.

Pas fjalës hyrëse dhe prezantimit të programit nga ekipi i projektit, të pranishmëve ju drejtuan edhe drejtoresha e RIT KosovoTM (A.U.K.), Sharon Y. Hart, si përfaqësuese e implementuesit, Brian Martalus, drejtori i zyrës për rritje ekonomike pranë USAID, si përfaqësues i përkrahësit financiar të programit, Rozafa Ukimeraj, sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, në cilësi të përfaqësueses së institucioneve përfituese dhe Teuta Qilerxhiu, pjesëmarrëse në program dhe përfaqësuese e Ministrisë së Shëndetësisë.

Në fjalën mbyllëse, Ylberina Mala, udhëheqëse e programit, ndau certifikata të mirënjohjes tek përfaqësuesit e Ministrisë së Administratës Publike, Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, duke i falënderuar për përkrahjen në implementimin dhe promovimin e programit tek shërbyesit civil.

Gjithashtu, certifikata të mirënjohjes u ndanë edhe tek 4 vullnetarë të TLP Citizen Corps që shërbyen si asistentë ligjërues për program.