Certifikohen 131 studentë nga Ministria e Financave

02.12.2016 17:39:55

Në Ministrinë e Financave është mbajtur ceremonia e ndarjes së Certifikatave të studentëve të Grupit të Dytë nga Universiteti i Prishtinës “ Hasan Prishtina”, Kolegji AAB, Kolegji “ Dardania”, Kolegji “Pjeter Budi” dhe Kolegji “Universum”, të cilët kanë përfunduar punën praktike tremujore këtë ministri.

Certifikatat u ndanë për 131 studentët e grupit të dytë, të cilët që nga muaji shtator deri në muajin nëntor kanë qenë të angazhuar në punë praktike në Ministrinë e Financave dhe agjencionet vartëse të saj në Administratën Tatimore, Doganën e Kosovës, si dhe Agjencinë Qendrore të Prokurimit.

Në këtë grup të cilët sot përfunduan me sukses punën praktike 107 studentë janë nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ndërsa 24 studentë të tjerë janë nga Kolegjet private.

Në këtë ceremoni përveç studentëve pjesëmarrës ishin edhe zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi, rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, dekani i Fakultetit Ekonomik, But Deda, si dhe Dekanët e Kolegjeve private.

Ndër të tjera është bërë e ditur që grupi i tretë i studentëve do të fillojnë punën praktike në Ministrinë e Financave dhe agjencionet vartëse të saj, në muajin shkurt 2017 në periudhën tremujore.