Certifikohen 14 përmbarues privat

03.08.2016 14:31:58
Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, sot ndau certifikatat pёr 14 kandidatët tё cilët e kanë kryer me sukses provimin pёr Përmbarues Privat.
Me rastin e ndarjes së certifikatave , e para e Drejtësisë në Kosovë ka thënë se sot  është një moment shumë i rëndësishëm jo vetëm për  ministrinë që e drejton por për të gjithë sistemin e drejtësisë në vend.

“Me themelimin e Institutit të Përmbarimit Privat, Republika e Kosovës ka bërë një hap shumë të rëndësishëm në sferën e sundimit të Ligjit, me ç’rast kreditorëve ju është rritur siguria juridike lidhur me obligimet e debitorëve ndaj tyre”.

“Unë, si Ministre e Drejtësisë, do të jem e përkushtuar veçanërisht për Përmbarimin Privat, andaj, kërkoj nga ju që të vazhdoni edhe më tej me përgatitjen tuaj profesionale, për të ushtruar profesionin e denjë të përmbaruesit privat”.

“Ju, Përmbaruesit Privat me kontributin tuaj do të ndihmoni në zvogëlimin e lëndëve në gjykatat e Republikës së Kosovës, pasi që gjysma e lëndëve kanë të bëjnë me ekzekutimin e tyre dhe mbi të gjitha, qytetarëve të Republikës së Kosovës do tu mundësohet qasja më e lehtë dhe më e shpejt në drejtësi”, ka shtuar ajo, transmeton Klan Kosova.