Çfarë po ndodh në Alepo? Mesazhet që po trondisin botën…

14.12.2016 21:54:24

Alepo është duke jetuar orët e fundit të luftës dhe ushtria siriane përgatitet të marrë plotësisht qytetin e dytë më të madh në vend. Por, kjo ka vënë në rrezik jetët e civilëve dhe rebelëve që gjendeshin ende në qytet.

Sipas OKB-së, civilët që përpiqeshin të largoheshin, janë qëlluar pa paralajmërim nga ushtria e Assad, por nuk kanë munguar as ekzekutimet masive.

Ndërkohë, banorët kanë nisur të postojnë në rrjetet sociale statuse dhe video, e mesazhet e tyre të fundit, teksa prisnin vdekjen.

“Unë po pres te vdes, ose do të kapem nga regjimi i Asadit. Lutuni për mua dhe mos na harroni”, ka shkruar fotografi Ameen al-Halabi, në facebook.

“Ndoshta ky është mesazhi i fundit nga Alepo”,- shkruan Bilal Abdul Kareem.

“Mos humbni kohë. Qindra shpirtra po vdesin në çdo orë. Shpëtoni të tjerët”,- shkruan Alhamdo.

Pamjet që vijnë nga qyteti janë vërtetë të rënda dhe dramatike, ndërsa pjesa tjetër e banorëve të Alepos shfaqen duke festuar çlirimin e qytetit nga ushtria.

Në Aleppo gjenden aktualisht një grup rebelësh dhe banorë civilë, të cilët kundërshtojnë regjimin e presidentit sirian, Bashar al Assad, transmeton tema.

Ndërkaq, raportohet se OKB ka arritur një marrëveshje me qeverinë siriane, për evakuuimin e rebelëve dhe civilëve.