Presidenti Trump tha javën e kaluar se nuk sheh ndonjë arsye pse të mos ketë paqe midis Izraelit dhe palestinezëve. Edhe presidenti Abass deklaroi kohët e fundit se një marrëveshje “historike” për t’i dhënë fund konfliktit izraelito – palestinez është e mundur nën udhëheqjen e presidentit Trump.
Zoti Abbas, i cili kryeson Autoritetin Palestinez me bazë në Bregun Perëndimor ka qëllime modeste për vizitën. Sipas zyrtarëve palestinezë, një nga objektivat e tij kryesore do të jetë thjesht të dëgjojë planin e zotit Trump për ringjalljen e bisedimeve të paqes.
Por analistët thonë se Mahmud Abbas gjithashtu shpreson ta përdorë takimin për të përmirësuar popullaritetin e tij si brenda dhe jashtë territorit palestinez.
“Me këtë vizitë, ai do të përpiqet të tregojë se ka një rol të rëndësishëm për të luajtur dhe se do të jetë e vështirë të bëhet diçka pa të,” thotë Dennis Ross, i cili ka qenë negociator i paqes në Lindjen e Mesme nën tre administrata amerikane.
Popullaritet në rënie
Zoti Abbas është gjithnjë e më pak popullor në territoret palestineze. 82 vjeçari është në vitin e 12-të të atij që duhej të ishte një mandat pesëvjeçar presidencial. Një sondazh i kohëve të fundit tregon se dy të tretat e palestinezëve duan që ai të japë dorëheqjen, dhe janë të pakënaqur me rezultatet e arritura në luftën kundër korrupsionit brenda qeverisë. Partia e tij Fatah gjithashtu përballet me një sfidë serioze nga Hamasi, grupi rival palestineze që kontrollon Rripin e Gazës.
Presidenti Abbas rrezikon gjithashtu të lihet mënjanë në planet e zotit Trump për të ringjallur bisedimet e paqes izraelito-palestineze. Në vend që të ndjekë bisedime të drejtpërdrejta mes të dy palëve, presidenti Trump ka sugjeruar angazhimin e vendeve arabe për të ndihmuar në krijimin e një marrëveshjeje më të gjerë paqeje.
Kjo qasje mund të bazohet pjesërisht në Nismën Arabe të Paqes të vitit 2002, e cila bëri thirrje për krijimin e një shteti palestinez në territoret e pushtuara nga Izraeli në këmbim të marrëdhënieve të normalizuara midis Izraelit dhe vendeve arabe.
Strategji e paqartë
Sa ndikim do të kishte zoti Abbas në bisedime të tilla rajonale është i paqartë. Por nëse presidenti Trump planifikon të angazhojë udhëheqës arabë që t’i bëjnë presion udhëheqësit palestinez për të bërë lëshime, kjo mund të mos funksionojë, paralajmëron William Quandt, ish-negociator amerikan për paqe në Lindjen e Mesme.
Drejtimi i bisedimeve të paqes është bërë më i zbehur, si rezultat i deklaratave kontradiktore të zotit Trump mbi çështjen izraelito-palestineze.
Në shkurt, presidenti Trump u duk se po hiqte dorë nga qëndrimi i hershëm amerikan për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez, kur njoftoi gjatë një takimi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu se ai ishte i hapur për alternativa të tjera veç zgjidhjes me dy shtete.
Megjithëse diplomatët amerikanë më vonë i siguruan zyrtarët palestinezë se SHBA mbeten të përkushtuara ndaj idesë së një shteti palestinez, shumë palestinezë vazhdojnë të vënë në dyshim nëse presidenti Trump do të jetë një ndërmjetës i paanshëm.