Champions derbi i Madridit në gjysmëfinale, Juve luan me Monaco

21.04.2017 12:14:15

Shorti i hedhur në Nion përcaktoi që në gjysmëfinalet e Champions do të luhet derbi i Madridit, me Realin që sfidon Atletico-n, ndërsa në takimin tjetër, Juventusi do të jetë përballë surprizës Monaco.

Reali ishte skuadra e parë e tërhequr në short, me skuadrën e Zidane që sipas formulës do ta luajë ndeshjen e parë në “Bernabeu”. E ndërsa të gjithë rivalët ishin në ankth, goglat nxorrën si rivalin e “Los Blancos” rivalët e përjetshëm të Atletico-s.

Një derbi europian, por që këtë herë do ti vendosë përballë dy skuadrat e Madridit jo më në finale, por në pengesën e fundit për të arritur në ndeshjen për trofeun në Kardif. Kjo do të jetë hera e pestë që Reali dhe Atletico do të luajnë në kupat e Europës.

Çifti tjetër ishte logjik: Pas paraqitjeve të shkëlqyera me Barcelonën, Juventusi tashmë do të ketë përballë Monaco, skuadrën që befasoi Europën me paraqitjet e saj, duke eliminuar fillimisht Manchester City-n dhe më pas Borussia Dortmund. Ndeshjet e para gjysmëfinale do të luhen më 2 dhe 3 Maj, ndërsa takimet e kthimit më 9 dhe 10 Maj.

Për Juventusin përbën avantazh fakti që sfidën e kthimit do ta kenë në Torino. Kampionët e Italisë janë kualifikuar në të dy rastet kur janë përballur me Monaco, në gjysmëfinalet e sezonit 1997/98 dhe në çerekfinalet e edicionit 2014/15. Në dy sfidat e vitit 2015, bardhezinjtë nuk pësuan asnjë gol, por Monaco e këtij viti është një skuadër plotësisht e ndryshme dhe një rival për tu pasur frikë.