“Kaçe iku nga Plzen për arsye disiplinore”

11.12.2016 14:02:49

Disa javë pas largimit të Ergys Kaçes nga Viktoria Plzen, trajneri Roman Pivarník tregoi edhe arsyet përse e mori vendimin për të mos u mbështetur më te shërbimet e shqiptarit. Sipas drejtuesit të stolit, mesfushori u transferua mes pritshmërive në radhët e kampionëve të Çekisë, por fakti që nuk zbatonte detyrat taktike në fushë dhe mungesa e disiplinës, ishin faktorë që nuk mund të toleroheshin.

Te Viktoria Plzen nuk ishin të kënaqur me performancat e Kaçes në ekipin e parë, me argumentin se 23-vjeçari nuk shfrytëzoi shanset e dhëna në ndeshjet e kampionatit apo edhe në Europa League. Sipas trajnerit Pivarník, shpjegimi i mesfushorit se po luante i dëmtuar, por edhe angazhimi jo maksimal në stërvitje, e detyruan që ta dërgonte në skuadrën e të rinjve.

 

Pas vendimit të stafit teknik që kuqeziu të stërvitej në radhët e Akademisë, Ergys Kaçe kërkoi leje nga klubi që të kthehej në Selanik për arsye familjare. Ky veprim u cilësua një sjellje e papranueshme nga trajneri i Viktoria Plzen, që mori vendimin përfundimtar se shqiptari do të largohej në merkaton e Janarit.

 

Ergys Kaçe është rikthyer te PAOK-u i Selanikut, për të rinisur stërvitjen me skuadrën greke, ndërsa javët në vazhdim do të jenë vendimtare për të mësuar nëse ai do të qëndrojë në radhët e bardhezinjve, apo do të huazohet te një tjetër klub deri në fund të sezonit. Sido që të jetë, largimi nga Plzeni do ti shërbejë kuqeziut që të ngjitet në nivelet e sezoneve të kaluara dhe të vazhdojë të dhurojë magji në fushë.